SHOQATA SHQIPTARE E KARDIOLOGJISE

<

HISTORIKU

Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë (SHSHK) është një organizatë joqeveritare jofitimprurëse e mjekëve kardiologë të Shqipërisë. Ajo u krijua në Tiranë, më 30 mars 1994. Grupi nismëtar për themelimin e kësaj shoqate përbëhej nga Ylli Popa, Pandeli Çina, Spiro Qirko, Adnan Kastrati, Anesti Kondili, Artan Goda, Fedhon Meksi dhe Ahmet Kamberi. Në mbledhjen themeluese që u mbajt në njerën nga sallat e leksioneve të Kardiologjisë, të Fakultetit të Mjekësisë, Tiranë, morën pjesë 99 specialistë kardiologë nga e gjithë Shqipëria. Në këtë mbledhje u miratua Statuti i Shoqatës. Me votim të fshehtë u zgjodh Këshilli i Shoqatës i përbërë nga 9 vetë: Emroda Beli, Pandeli Çina, Artan Goda, Adnan Kastrati, Anesti Kondili, Vasil Lushnjari, Fedhon Meksi, Ylli Popa dhe Spiro Qirko. Mbledhja miratoi gjithashtu dërgimin Ministrit të Shëndetësisë, materialet e kësaj mbledhjeje, me kërkesën për miratimin e themelimit të SHSHK, mbi bazën e rregullave të atëhershme në fuqi (1). Ato rregulla përcaktonin se krijimi i organizatave joqeveritare miratoheshin me urdhër të ministrit përkatës. Këshilli i sapozgjedhur i Shoqatës zgjodhi me votim të fshehtë Kryesinë,e cila do të përbëhej nga Spiro Qirko (President), Artan Goda (Zv/President), Adnan Kastrati, (Sekretar i Përgjithshëm) dhe Emroda Beli (Trezoriere). Miratimi i krijimit të SHSHK-së do të bëhej me Urdhërin Nr. 105, date 17.05.1994 të ministrit të shëndetësisë dr. Maksim Cikuli, i cili urdhëronte regjistrimin përkatës të kësaj shoqate dhe depozitimin e dokumenteve në arkivin e ministrisë (2). Urdhëri hynte në fuqi menjëherë. Kështu, krijimi i SHSHK kishte marrë formën zyrtare.

 

Historia e organizatave joqeveritare në Shqiëri është e re. Gjatë regjimit të diktaturës së proletariatit organizimet jopolitike mungonin. Në kuadrin e hartimit të Programit strategjik të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në Vendimin Nr 1989, datë 26.06.1989, në Tiranë u mbajt Aktivi kombëtar, në të cilin, ministri Ahmet Kamberi dha orjentimet për përcaktimin e detyrave specifike, për hartimin e këtij programi (3). Në këtë mbledhje u shpall edhe krijimi i Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë, e cila do të përfshinte të gjithë mjekët, stomatologët dhe farmacistët e Shqipërisë. Në emër të grupit nismëtar (Prof. Petrit Gaçe, prof. Ylli Popa, Ahmet Kamberi e Gjergj Minga), krijimin e kësaj shoqate e shpalli Prof. P. Gaçja. Të pranishmit në Aktiv shkruan emrat e tyre dhe firmosën në Librin e Shoqatës (4). Më 25 gusht 1989, në Tiranë u mbajt Konferenca I e Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë. Në fjalën e përshëndetjes ministri Ahmet Kamberi do të nënvizonte: "Ministria dhe organet e shëndetësisë e shohin Shoqatën mjekësore shqiptare si një këshilltar shkencor e tekniko-profesional kompetent, që do të ndihmojë në mënyrë të ndjeshme në zgjidhjen e problemeve që shtrohen e do të shtrohen para shëndetësisë tonë. Prandaj, ato do të kujdesen parreshtur për forcimin e rolit të saj aktiv dhe për rritjen e autoritetit të saj"(5). President i saj u zgjodh profesor Petrit Gaçe dhe Sekretar i përgjithshëm prof. Gjergj Minga. Shoqata nuk kishte burime financimi dhe nuk mund të kishte një botim të sajin. Kërkesa që Ministria e Shëndetësisë të financonte një revistë të Shoqatës nuk u pranua nga Minisrti, me arsyetimin se kjo do ta vinte shoqatën në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, gjë që do të binte ndesh me frymën e krijimit të saj. Por u gjet një zgjidhje e pranueshme. Ministri urdhëroi kalimin e Revistës Mjekësore, që ishte organ i Ministrisë së Shëndetësisë, në dispozicion të Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë.

Themeluesit e Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë në sistemin e diktaturës së proletariatit, ku nuk ekzistonin organizatat e pavarura, ishin kardiologë. Eshtë lehtësisht e kuptueshme se pse edhe Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë do të ishte njera nga shoqatat e para joqeveritare e cila do të krijohej që në vitet fillestare të kalimit nga sistemi socialist në atë kapitalist. Por ndryshe nga Shoqata Shqiptare e Mjekësisë, ekzistenca e së cilës u shua me ardhjen e demokracisë, Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë, edhe pse e njohur ndërkombëtarisht, nuk ka mundur ende të sigurojë marrëdhënje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë.

Veprimtaria më e madhe e Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë të posakrijuar do të ishte Konferenca I Kombëtare e mbajtur në Nëntor të vitit 1994, me pjesëmarrje edhe nga Gjermania e Franca. Pothuajse të gjitha punimet e përaqitura ishin origjinale. Konferenca zgjati 2 ditë dhe ishte një sukses i plotë.

 

Deri në vitin 1997 veprimtaria e Shoqatës u kufizua në mbledhjet mujore të së mërkurës me tematikë të përshtatur për edukimin professional të vazhdueshëm. Shoqata vendosi që duke filluar nga viti 1998 të mbahej Konferenca e saj Kombëtare, në të cilën do të merrnin pjesë edhe të ftuar të huaj. Nga ky vit konferencat kombëtare do të mbaheshin në muajin dhjetor. Tematika e këtyre konferncave do të përfshinte problemet më shqetësuaese të praktikës sonë klinike. Deri në vitin 2011 ishin zhvilluar 15 konferenca kombëtare.

 

Në vitin 2006, Shoqata vendosi të mbante edhe një Konferencë të Pranverës, me qëllim kryesor aktivizimin e të rinjve. Ky aktivitet u zhvillua vetëm në vitin 2006 dhe 2007. Në vitin 2011 kjo praktikë u rikthye.

 

Në vitin 1995 SHSHK u anëtarësua në Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë (ESC). Që nga ajo kohë një numër në rritje i anëtarëve të SHSHK ka marrë pjesë në Kongreset e përvitshme të ESC-ut dhe të shoqatave të tjera që përfshihen në komunitetin e saj.

 

RIKONFIRMIMI I THEMELIMIT TE SHSHSK

Në vitin 2001 ligji shqiptar për organizatat jofitimprurëse kishte ndryshuar. Kryesia e Shoqatës nuk kishte marrë dijeni për këtë ndryshim të ligjit. Në vitin 2006, u krijua një situate juridike e vështirë për Shoqatën. Në këto rrethana për të rikonfirmuar themelimin e saj, një grup i   përbërë nga A. Kamberi, A. Kondili, A, Goda, S. Qirko, M. Heba, M. Lezha dhe I. Balla mori nismën e rithemelimit të SHSHK në pajtim me ligjin. Mbledhja e Përgjithshme më 1 dhjetor 2006 miratoi 2 vendime të rendësishme. Vendimi Nr 1 kishte të bënte me regjistrimin në gjykatë të Shoqatës, sipas ligjit Nr 8788 datë 07.05.2001 "Për organizatat jofitimorurëse", rikonfirmimin e Këshillit të Shoqatës të zgjedhur në Mbledhjen e Përgjithshme, më 18 dhjetor 2002, pajisjen e anëtarëve me karta identiteti të ESC-SHSHK e tj. Vendimi Nr 2 kishte të bënte me miratimin e Aktit të Themelimit të SHSHK, miratimin e Statutit, depozitimin e këtyre akteve në gjykatë (6,7,8,9).

Më 2 mars 2007 SHSHK Gjykata e rrethit gjyqësor të Tiranës, bazuar në nenin 41 të K.Civil, në ligjin Nr. 8788 datë 07.05.2001 "Për organizatat jofitimprurëse" dhe në Ligjin Nr. 8789, date 07.05.2001 "Për regjistrimine e organizatave jofitimprurëse", me vendimin e saj Nr 1909 vendosi për regjistrimin si person juridik të organizatës jofitimprurëse "Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë", me emrin e shkurtuar SHSHK, duke përcaktuar se qëllimi dhe fusha e veprimtarisë së shoqatës do të jenë:

 

  1. Të nxisë zhvillimin e kardiologjisë dhe të kujdesit mjekësor kardiologjik nëpërmjet ngritjes së pëndërprerë të nivelit professional e shkencor të anëtarëve të vet.

  2. Të kryejë hulumtime, kërkime dhe studime shkencore në të gjitha fushat që i përkasin me qëllim për të ulur dëmet dhe barren e sëmundjes kardiovaskulare në Shqipëri.

Vendimi përcaktonte gjithashtu se qëllimi i mësipërm do të realizohej nëpërmjet veprimtarive të mëposhtëme:

 

  1. duke organizuar konferenca e simpoziumeme pjesëmarrjen anëtarëve të shoqatës dhe të huaj, me tematikë në interes të qëllimit të saj;

  2. duke botuar periodikisht "Revistën Shqiptare të KArdiologjisë", e cila do të jetë një publikim shkencor, professional dhe informative, si dhe botime të tjera që do t'i shërbejnë qëllimit të saj;

  3. duke organizuar projekte e studime;

  4. duke bashkëpunuar në projekte e studime me të tjerë;

  5. duke bashkëpunuar me sektorin publik e privat të shërbimit shëndetësor të vendit dhe me organizata profesionale e shkencore shqiptare e joshqiptare, qëllimi i të cilave është në pajtim me të sajin.

 

Vendimi përcaktonte se organet drejtuese të shoqatës do të ishin:

 

  • Mbledhja e përgjithshme

  • Këshilli i Shoqatës

  • Presidenti

Organi më i lartë vendimmarrës do të ishte Mbledhjë e Përgjithshme.

 

Burimet financiare shoqata do t'i siguronte nga:

 

  • kontributi vjetor i antarësisë;

  • shërbimet ndaj të tjerëve;

  • projektet e saj;

  • pjesëmarrja në projekte të përbashkëta;

  • dhurimet nga institucione publike e private ose nga individë të ndryshëm;

  • mbështetja financiare nga agjenci të ndryshme publike e private.

 

Me këtë vendim gjykate SHSHK u formalizua përfundimisht në përputhje me legjislacionin shqiptar (10).

 

Udhëheqja e SHSHK

Deri në dhjetor të vitit 2011 ishin mbajtur 6 mbledhje për zgjedhjen e Këshillit të saj, prej të cilit janë zgjedhur presidenti, zv/presidenti (që është president i ardhshëm), sekretari i përgjithshëm dhe trezorieri, mandati i të cilëve ka qenë 3-vjeçar.

 

1994-1998:

Këshilli: Emroda Beli, Pandeli Çina, Artan Goda, Adnan Kastrati, Anesti Kondili, Vasil Lushnjari, Fedhon Meksi, Ylli Popa dhe Spiro Qirko

President: Prof. Spiro Qirko

Zv/President: Prof. Artan Goda

Sekretari i përgjithshëm: Prof. as. Adnan Kastrati

Trezorier: Emroda Beli dhe pas vdekjes aksidentale të saj, Ahmet Kamberi.

 

1999-2001:

Këshilli: Artan Goda, Anesti Kondili, Pandeli Çina, Ahmet Kamberi, Spiro Qirko, Veli Zogu, Fedhon Meksi, Mimoza Lezha, Novruz Beqiraj

President: Prof. Artan Goda, FESC

Zv/President: Prof. Anesti Kondili

Sekretari: Dr. Mimoza Lezha

Trezorier: Prof. as. Ahmet Kamberi

 

2002 - 2004:

Këshilli: Anesti Kondili, Ahmet Kamberi, Artan Goda, Mimoza Lezha, Fedhon Meksi, Veli Zogu, Spiro Qirko, Xhemal Doçi, Besim Hoxha

President: Prof. Anesti Kondili, FESC

Zv/President: Prof. Ahmet Kamberi

Sekretar: Prof. as. Mimoza Lezha, FESC

Trezorier: Dr. Vilma Paparisto, zëvendsuar me kërkesën e saj nga Prof. as. Idriz Balla

 

2005 - 2007

Këshilli: Ahmet Kamberi, Anesti Kondili, Artan Goda, Spiro Qirko, Martina Heba, Mimoza Lezha, Ali Refatllari, Maks Memi, Pal Bojaxhiu

President: Prof. Ahmet Kamberi, FESC

Zv/ President: Prof. as. Mimoza Lezha, FESC

Sekretar: Prof. as. Martina Heba

Trezorier: Dr. Albana Doko

 

2008 - 2010

Këshilli: Mimoza Lezha, Ahmet Kamberi, Anesti Kondili, Artan Goda, Spiro Qirko, Martina Heba, Ali Refatllari, Arben Murati, Edvin Kovaçi

President: Prof. Mimoza Lezha, FESC

Zv/President: Prof. Anesti Kondili

Sekretar: Dr. Albana Doko

Trezorier: Dr Hortensia Vucini (Gjergo), Dr Artan Deliana

 

2011 - 2013

Këshilli: Martina Heba, Mimoza Lezha, Anesti Kondili, Artan Goda, Leonard Simoni, Naltin Shuka, Ahmet Kamberi, Spiro Qirko, Ali Refatllari, Xhemal Doçi, Semiha Pirani

President: Prof. Martina Heba

Sekretar: Dr. Naltin Shuka

Trezorier: Leonard Simoni

Marrëdhëniet me industrinë

Në shtator të vitit 2005, Presidenti i Shoqatës nxori "Rregulloren e marrëdhenieve të Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë me industrinë". Kjo rregullore përcaktonte rregullat e bashkëpunimit të Shoqatës me kompanitë farmaceutike mbi bazën e përfitimit reciprok dhe të përjashtimit të konfliktit të interesit. Rregullorja u miratua në Mbledhjen e Përgjithshme në Dhjetor, 2005 dhe është ende në fuqi (11).

 

Marrëdhënjet me ESC

SHSHK u pranua anëtare e ESC-ut në vitin 1995. Që nga ajo kohë bashkëpunimi ka ardhur në rritje. SHSHK-ja ka adoptuar udhërrëfyesit e praktikës klinike të ESC-ut, njohjen dhe zbatimin e disa prej të cilëve, si psh mjekimin e dislipidemive, mjekimin e fibrilacionit atrial, mjekimin e hipertensionit arterial, parandalimin e sëmundjes aterosklerotike kardiovaskulare në praktikën klinike,  ndryshimet gjinore, sindromin koronar akut e tj., i ka bërë dhe objekt të tematikave të konferencave vjetore të saj, ku kanë marrë pjesë edhe folës të dërguar nga ESC-u. Për koordinimin e punëve për zbatimin e parandalimit të SAKV u caktuan koordinatorët kombëtarë. Nga viti 2006 e deri në vitin 2010 koordinatori kombëtar ka qenë prof. Ahmet Kamberi, gjithashtu ai ka qenë edhe koordinatori kombëtar për Kartën Evropiane të Zemrës. Nga viti 2011 koordinator kombëtar është prof. Anesti Kondili.

 

Një arritje shumë e rëndësishme e SHSHK-së në marrëdhënjet me ESC-un mund të konsiderohet nënshkrimi i Kartës Evropiane të Zemrës (EHC), ku u përfshi edhe ministria e shëndetësisë. Pas një pune këmbëngulëse me këtë ministrië, u arrit që në Konferencën XIII kombëtare, në dhjetor 2009, në një sesion të posaçëm ku merrnin pjesë edhe folësa të ESC-ut, të shpallej kjo kartë dhe të nënshkruhej nga Ministri i shëndetësisë dr.Petrit Vasili, Presidentja e SHSHK-së Prof. Mimoza Lezha dhe Koordinatori kombëtar prof. Ahmet Kamberi (12). Nënshkrimi i Kartës Evropiane të Zemrës pati jehonë në shtypin kombëtar dhe në atë të ESC-ut. Karta vë në angazhim qeverinë shqiptare që të marrë masat e nevojshme ligjore e shtetërore për parandalimin e sëmundjes aterosklerotike kardiovaskulare, ashtu siç angazhon edhe SHSHK-në në luftën për zbatimin e dispozitave të saj.

 

Më 26 Prill 2007 SHSHK-ja njohu zyrtarisht Bordin evropian për Akreditimin në Kardiologji [European Board for Accreditation in Cardiology (EBAC)] nëpërmjet letrës së Presidentit të saj dërguar prof. Lino Gonçalves, Kryetar i EBAC-ut (13). Kjo njohje i jep mundësi SHSHK-së që të mund të organizojë, në bashkëpunim me EBAC-un, aktivitete për edukimin e vazhdueshëm mjekësor, si konferenca, simpoziume, kurse e tj. Çertifikatat e lëshuara në mbarim të këtyre aktiviteteve do të mbajnë logon e SHSHK-së dhe të EBAC-ut

 

Që nga viti 2007 anëtarët e SHSHK janë pajisur me ID (karta identiteti) të ESC-SHSHK.

 

Që nga viti 2009 SHSHK-ja ka 2 "abstract grader" (përzgjedhës abstraktesh) që bashkëpunojnë me Komitetin Shkencor të Kongreseve të ESC-ut.

 

SHSHK-ja ka qenë gjithashtu aktive në procesin e zgjedhjeve të organeve drejtuese të ESC-ut, si dhe ka marrë pjesë aktive, nëpërmjet presidentëve të saj ose të dërguarve të tyre, në Summit-in e Pranverës në Heart House, Nice, Francë (Selia qendrore e ESC-ut) i cili mbahet çdo vit.

 

Anëtarë të SHSHK-së kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga Heart House, Nice, Francë, për kualifikime të shkurtra në fusha të ndryshme të kardiologjisë.

 

SHSHK-ja mban gjithashtu marrëdhënje të ngushta me një numër shoqatash bija të ESC-ut si EACPR, EAE, EHRA, HFAE dhe EAPCI. Një numër anëtarësh të SHSHK-së janë të anëtarësuar edhe në këto shoqata dhe marrin pjesë në aktivitetet e tyre shkencore.

Revista Shqiptare e Kardiologjisë

Revista Shqiptare e Kardiologjisë lindi si një domosdoshmëri për përmbushjen e qëllimit themelor të SHSHSK-së, siç është përcaktuar në statutin e saj. Vendimin për nxjerrjen e saj e mori Mbledhja e Përgjithshme e shoqatës, më 22 dhjetor 2001. Ajo emëroi dhe Kryeredaktorin, prof. Ahmet Kamberin, i cili e nxori dhe e drejtoi atë deri në dhjetor të vitit 2004. Revista u projektua që t'i përmbahej "Kërkesave uniforme për dorëshkrimet që u dorëzohen revistave biomjekësore" botim i vitit 1997 i Komitetit Ndërkombëtar të Redaktorëve të Revistave Mjekësore (ICMJE). Në letrën drejtuar lexuesve, në numrin inaugurues të Revistës, Kryeredaktori do të shkruante "Unë jam i mendjes se e ardhmja i përket atyre që ndjekin një qëllim fisnik për të mirën e përgjithshme, që bashkojnë forcën e mendjes dhe vullnetin e mirë, që ecin në gjurmët e shëndetshme të së kaluarës, që vazhdojnë rrugën duke shikuar përpara drejt më së mirës dhe nuk ndalen nga pengesat e vështirësitë që është e pamundur të mos ndeshen në këtë rrugë." Dhe më tutje "...do të dëshiroja tu thosha të rinjve që bindja ime është se, nuk ka zhvillim e përparim dhe nuk ka përspikatje individualiteti pa fjalën e shkruar, prandaj shfrytëzojeni tribunën tuaj dhe do të shikoni se e vlen barra qiranë"(14). Në editorialin e këtij numri të Revistës, prof. Anesti Kondili, Presidenti i atëhershëm i Shoqatës do të shkruante: "Jam i sigurt që dalja e Revistës kardiologjike shqiptare do të ndihmojë edhe në drejtim të sensibilizimit të opinionit publik dhe atij shtetëror për atë që duhet bërë për zhvillimin e kardiologjisë shqiptare, konform normave evropiane dhe ndërkombëtare, natyrisht në përputhje më mundësitë ekonomike të vendit." (14)

 

Revista Shqiptare e Kardiologjisë është e vetmja revistë shkencore mjekësore që nuk ka rreshtur së dali gjatë këtyre 10 viteve të jetës së saj. Përveç 2 numrave të rregullt të saj në vit, ajo është shoqëruar pothuajse për herë edhe me një suplement ku janë publikuar një numër udhërrëfyesish të praktikës klinike, të ESC-ut.

 

Revista Shqiptare e Kardiologjisë përfshihet gjithashtu në listën e revistave të akredituara për kualifikimin shkencor nga Komiteti i Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë.

 

Kryeredaktorë të Revistës Shqiptare të Kardiologjisë kanë qenë: Prof dr. Ahmet Kamberi, FESC (2002-2004); Prof. dr. Mimoza Lezha FESC (2005-2007); Prof. dr. Anesti Kondili FESC (2008-2010) dhe Prof. dr. Artan Goda FESC (2011-2013). Redaksia e revistës deri në vitin 2010 përbëhej nga Ahmet Kamberi, Anesti Kondili, Artan Goda, Spiro Qirko dhe Mimoza Lezha. Në vitin 2011 në redaksi u përfshi edhe Martina Heba. Këshilli i Shoqatës vendosi që Presidenti i Shoqatës të përfshihej automatikisht në redaksi.

Referencat

 

  1. Vendim i Mbledhjes themeluese të Soqatës Shqiptare të Kardiologjisë, më 30 mars 1994. Dokument i riprodhuar. Arkivi i Shoqatës.
  2. Urdhëri Nr 105, datë 17.05.1994 i Ministrit të Shëndetësisë. Arkivi i Soqatës.
  3. Kamberi A. Raport mbajtur në Aktivin kombëtar për hartimin e programit të punës për detyrat që caktoi Kuvendi Popullor për Shëndetësinë, më 11.07.1989. Arkivi personal.
  4. Për një nivel më të lartë të profilaksisë dhe kujdesit mjekësor. Zëri i Popullit, 12.07.1989
  5. Kamberi A. Fjala e përshëndetjes në Konferencën I të Shoqatës mjekësore shqiptare, më 25.08.1989. Arkivi personal.
  6. Vendim Nr. 1 datë 16.12.2006 i Mbledhjes së përgjithshme të SHSHK për regjistrimin e Shoqatës në Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, në pajtim me ligjin Nr. 8788, datë 07.05.2001 "Për organizatat jofitimprurëse". Arkivi i Shoqatës.
  7. Vendim Nr. 2, datë 16.12.2006 i Mbledhje së përgjithshme të SHSHK për miratimin e Aktit të themelimit të SHSHK dhe të Statutit të rishikuar të saj. Arkivi i Shoqatës.
  8. Akt themelimi i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë si organizatë jofitmprurëse nën ligjin Nr. 8788 datë 07.05.2001 "Për organizatat jofitimprurëse". Arkivi i Shoqatës.
  9. Statuti i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë (i rishikuar). Arkivi i Shoqatës.
  10. Vendimi Nr 1909, datë 02,03,2007 i Gjykatës së rrethit gjyqsor Tiranë për regjistrimin si person juridik të Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë, shkurt SHSHK. Arkivi i Shoqatës.
  11. Rregullorja e marrëdhënjeve të Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë me industrinë. 30.09.2005. Arkivi i Shoqatës.
  12. Karta Evropiane e Shëndetit të Zemrës. Dokumenti i firmosur nga Ministri i Shëndetësisë dhe Presidenti i SHSHK  e Kordinatori kombëtar. Arkivi i Shoqatës.
  13. Kamberi A. Letra dërguar Presidentit të EBAC për njohjen e këtij nga SHSHK, më 26.4.2007. Arkivi i Shoqatës.
  14. Revista Shqiptare e Kardiologjisë 2002, (I),1: 3-4 dhe 5-7

SH.SH.K - Njoftime

Lexoni Qershore 2014

08.11.2014 SHSHK: International meeting, GMV Care& Research. Kliko per PDF

20.12.2014 SHSHK: Organizon Koferencen: Implementimi i udherefyesve te rinj te ESC

 

echography album

echography heart 6
echography heart 5
echography heart 4
echography heart 3
echography heart 2
echography heart 1

Vetem per Antaret

Video

Powered by Data Solution LTD